Kampusi im

Home » Sugjerime » Një studim nga Met Dervishi për ligjërimin politik shqiptar 1991-2013) – Dr. Manjola Zaçellari

Një studim nga Met Dervishi për ligjërimin politik shqiptar 1991-2013) – Dr. Manjola Zaçellari

IMG_20170501_162521 (1)

Ligjërimi politik i ka joshur kurdoherë studiuesit. Në kohë të ndryshme, nga studiues të shumtë, janë bërë analiza të thella për të depërtuar në atë çka fshihet pas fjalëve që një lider artikulon. Oruelli do ta përshkruante ligjërimin politik si të krijuar enkas për të thënë gënjeshtra, por që do të tingëllonin si të vërteta. Pra, në thelb të ligjërimit politik kemi të bëjmë me manipulimin e masave, për të cilat studiuesi E. Kaneti ka dalë në disa përfundime të rëndësishme, sidomos kur ka trajtuar raportet e masës me pushtetin, psikologjinë e tyre etj., duke i projektuar këto raporte në republikat parlamentare, çka për ne merr një rëndësi të veçantë.

Sipas studiueses F. Ferrari, retorika transformon, pra dhe krijon “realitete”. Ajo nënvizon sidomos fuqinë bindëse, fuqinë transformuese, por dhe rrezikun e “metaforës”, sidomos efektin e saj në veprimin social dhe politik. Së këndejmi, analiza e ligjërimeve politike vetvetiu bëhet interesante dhe intriguese. Fjala në shumë raste të çon në realitete të tjera, të bind që këto realitete ekzistojnë. Kjo është fuqia bindëse e saj dhe ata që e njohin këtë fuqi mund të ndikojnë te të tjerët, aq sa të kontrollojnë mendjet e tyre, të ndryshojnë perceptimet dhe qëndrimet e tyre, t’i bëjnë të tjerët që të pranojnë postulatet false në vend të atyre të vërteta, madje t’i bëjnë ata të bien dakord për çështje, të cilat bien ndesh me interesin e tyre. Ky autoritet i fjalës njihet nga politikanët. Qëllimi i tyre është përfshirja e audiencës dhe krijimi i një “ideologjie”, të cilën publiku do ta pranojë si të vetën. Në këtë mënyrë, përzgjedhja gjuhësore që një lider bën, do të bëjë të mundur krijimin e një diskursi, i cili do t’i udhëheqë njerëzit të pranojnë çdo argument që ai prodhon.

Mendoj se ka qenë pikërisht kjo që e ka nxitur studiuesin Met Dervishi të sjellë një studim për ligjërimin politik shqiptar, me analiza të hollësishme të retorikës politike që nga viti 1991 deri në ditët e sotme. “Përbindëshat e retorikës” e Dervishit bëhet kështu e para vepër studimore që analizon në mënyrë të plotë nga pikëpamja gjuhësore fjalimet themelore të politikanëve shqiptarë, duke dalë në përfundime hera-herës të guximshme. Vepra është e strukturuar në 18 kapituj dhe nis me një analizë të fjalimeve themeluese të artikuluar nga liderët e partive kryesore politike në vendin tonë, duke vijuar më pas me shqyrtimin e retorikave të fushatave elektorale. Studimi i ligjërimit politik ofron këndvështrime dhe qasje të ndryshme, sipas fushave të ndryshme, si në politologji, sociologji, psikologji, komunikim etj., por dhe sipas shkollave. Por, në studimin e tij, Dervishi, është përqendruar në shqyrtimin e aspektit stilistik të ligjërimit politik.

Megjithatë, gjatë shqyrtimit, pikëtakimet me fushat e tjera kanë qenë të pashmangshme. Ai është ndalur vetëm te pikëtakimet, duke i lënë të hapura mundësitë për interpretime nga fusha të tjera e për studime të mëtejshme të integruara. Në studimin e tij, autori ka shqyrtuar mekanizmin stilistik të retorikës në veprim dhe produktin e saj gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve të fundit, individualitetet e saj, përputhjet/mospërputhjet e saj me retorikën paraardhëse totalitare, blloqet semantike të saj dhe risitë e saj. Për këtë, ai ka konsultuar një sërë autorësh, që nga G. Lakoff e M. Johnsen, kur ka dashur të analizojë metaforat në këto ligjërime apo F. Ferrarin, sidomos kur analizon zëvendësimin e realitetit me metafora, perceptimin e “reales” së retorikës si përfaqësim i “realitetit”, dhe E. Canneti-n, kur ka analizuar strukturën dhe natyrën e masave. Përveç mekanizmit stilistik të retorikës në veprim, studimi i Met Dervishit ofron një risi me qasjen e tij. Për të ndriçuar argumentin e polaritetit politik, autori është përqendruar sidomos në shqyrtimin e raporteve të retorikës me masën, audiencës së saj/elektoratit. Kësisoj, autori shqyrton në mënyrë të detajuar orientimin semantik të ligjërimit kundrejt një mase të caktuar ose masave në përgjithësi.

Në fokus të studimit të tij janë pikërisht marrëdhëniet e ligjërimit tonë politik gjatë këtyre njëzet viteve të fundit me masat. Sfida e retorikës së re politike, në raport me ligjërimin totalitar, ka qenë “transformimi”, por dhe “ndërtimi” i masës së qendrës së djathtë dhe i masës së qendrës së majtë, si dhe i një spektri të ri pluralist. Duke iu referuar E. Canneti-t dhe tipologjisë së tij të masave, autori shqyrton orientimin retorik të liderëve respektivë kundrejt masave gjegjëse, duke u përqendruar kryesisht te masat e dyfishta, përndryshe masat kundërshtuese, që janë karakteristike për republikat parlamentare. Gjithnjë, duke iu referuar Canneti-t sa i takon konceptit të masave të ndërsyera dhe ekzekutimit publik, Dervishi hedh tezën e tij të fuqishme: ka raste apo është e zakonshme që retorika jonë politike t’u drejtohet masave të ndërsyera, të etura për “ekzekutim publik”? Apo, në të kundërt, kemi mesazhe politike që i drejtohen masës së “qendrës së djathtë”, gjegjësisht, “qendrës së majtë”, si masa kundërshtuese me diferencat, po dhe me pikëtakimet e veta? Gjatë leximit të studimit, lexuesi do të bindet se autori e ka vërtetuar tezën e tij. Nga të tria profilet politike që ka analizuar, Berishën, Nanon e Ramën, ka vërtetuar se dy të parët kanë raporte vijimësie me retorikën paraardhëse. Blloqet semantike të tyre korrespondojnë me njëri–tjetrin, korrespondonantiteza, heroi i secilit dhe “armiku”, ferri i secilit dhe parajsat, parajsa e njërit që del si ferr i tjetrit e kështu me radhë, deri te togjet hibride me dy horizonte semantike, në marrëdhënie të drejtpërdrejta me retorikën totalitare. Kësisoj, retorika e tyre, sipas Dervishit, del si një fabrikë metaforash që ka manipuluar me deliret nacionale e lokale, por që është treguar sidomos e suksesshme në prodhimin e “armikut” (përbindëshat respektivë), duke i transformuar alternativat e secilit gati-gati në alternativa të luftës së klasave, (demokratë/socialistë/ komunistë, sipas rastit). Në kontrast me ta, del retorika e Ramës, i cili, siç nënvizon Dervishi, është i pari politikan shqiptar, që ndonëse është i vetëdijshëm për një transformim radikal të shoqërisë, është gjithashtu i vetëdijshëm dhe për mospranimin e “mjeteve” të “retorikës së vjetër”.

Rama, sipas autorit, ka prodhuar blloqe semantike të reja, të cilat nuk korrespondojnë me blloqet semantike të kundërshtarëve të tij. “Përbindëshat e retorikës” është kësisoj një studim me vlerë, duke qenë se analizon gjuhën që synon të bindë, të transformojë, të udhëheqë, të krijojë realitete të reja, të manipulojë etj. Është një studim, që para se të nxirren përfundime, analizohen të dhëna, duke iu referuar analizave bashkëkohore perëndimore të diskurseve politike. Një studim që nis me teza të fuqishme e që të befason me fuqinë analitike e përfundimet e nxjerra. “Përbindëshat e retorikës” është studimi i një sistemi, autori i të cilit guxon të vërtetojë shkencërisht atë çka fshihet pas fjalës, pas magjisë së saj, e cila ndonjëherë na bën të besojmë dhe të pabesueshmen.

 

 

©kampusiim

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: