Kampusi im

Home » Sugjerime » Intertekstualja dhe disidentja te “dimri i vetmise se madhe”

Intertekstualja dhe disidentja te “dimri i vetmise se madhe”

img_20170501_163159.jpg

 

Pranvera e vonuar e “Dimrit të madh”

Më në fund një përgjigje për paradokset e Kadaresë

Nga Manjola Zaçellari

Ka më tepër se njëzet vjet që Kadareja qëndron në qendër të debatit për disidencën shqiptare, që në fund të fundit, duket sikur i ndan studiuesit, por dhe opinionet, në më shumë se dy, tre ose katër e madje, në pesë grupime. Një palë e pranojnë Kadarenë si shkrimtarin tonë më të madh, dhe këta duket sikur i nënshtrohen faktit kokëfortë të përkthimeve të veprës së tij në gjuhë të ndryshme, çmimeve ndërkombëtare etj., po që, kur janë studiues, nuk guxojnë të futen me punimet e tyre në zonën e nxehtë të disidencës / socrealizmit të tij.

Të tjerë pranojnë, ose duket sikur pranojnë, dritëhije në veprën e tij, pra, gjejnë aty sa konformistin, socrealistin (“Kështjella”, “Gjenerali …”) me diktaturën, po aq dhe rebelin, disidentin (“Piramida”, “Pallati i ëndrrave” …). Një grupim tjetër ose sheh te vepra e tij në diktaturë vetëm konformistin, socrealistin, dhe vetëm atë, në antitezë ky me një grupim tjetër më të vogël, që sheh te vepra e tij një disidencë sui generis.

Edhe debati i fundit Jorgaqi / Kadare i nxori në dritë dhe një herë të gjitha këto grupime, të cilat, në fund të fundit, siç ka ndodhur dhe herët e tjera, pasi ngrihet një pluhur i madh rreth Kadaresë, jetës, veprës së tij, marrëdhënieve të tij me diktaturën, diktatorin etj., tërhiqen secili në llogoren e tyre. Këto janë rikthime ciklike, po dhe dalje ciklike e përsëriten një herë në dy, tre ose katër vjet.

Në fakt, në të gjitha këto debate që mbështillen rreth boshtit të aftësisë / paaftësisë së fabrikës së intelektualëve / krijuesve shqiptarë në diktaturë për të prodhuar disidencë, ka munguar e mungon një gjë thelbësore, përballja me veprën e Kadaresë në mënyrë shkencore. Dhe me shkencore kemi parasysh këtu kritikën, stilistikën, poetikën e tekstit të shkollave perëndimore, dhe jo analizën ideoartistike të veprës, a veprave, shkrimtarit (kritikës marksiste).

Dalja në sipërfaqe në mënyrë ciklike e këtyre grupimeve, është një fakt që provon paradoksin e receptimit të veprës së Kadaresë, sidomos pas vitit ‘90. Një fakt tjetër është që studiuesit, gjatë këtyre njëzet vjetëve, dhe këtu është fjala për studiuesit e letërsisë, nuk kanë “guxuar” të futen në labirintet e këtyre paradokseve.

Ndërkaq, në dukje një përkim krejt rastësor, fill pas debatit të fundit Jorgaqi / Kadare, del një libër, autori i të cilit kuturis të futet në këtë labirint. Është fjala për punimin “Intertekstualja dhe disidentja te ‘Dimri i vetmisë së madhe’” të shkrimtarit dhe studiuesit Met Dervishi, një botim i shtëpisë botuese “Saras”.

Për këtë punim, së pari, duhet thënë se është hera e parë në studimet shqipe ku merret në analizë një vepër e plotë. Së dyti, që në të, për herë të parë në studimet shqiptare, aplikohen konceptet e teorisë së receptimit dhe intertekstualitetit. Dhe së treti, duke hyrë në ideologjemat e tekstit të Kadaresë, studiuesi i jep një përgjigje shkencore pyetjeve për karakterin disident, përndryshe socrealist të veprës së tij.

Përzgjedhja e “Dimrit të vetmisë së madhe” për t’i dhënë përgjigje paradokseve të receptimit të Kadaresë është sa provokuese, aq dhe e guximshme. Në mënyrë sistematike, pas vitit ‘90, kjo vepër ka qenë dhe vazhdon të jetë një argument i fortë për karakterin konformist të veprës së Kadaresë (kulti i diktatorit, pllakati i marksizëm-leninizmit shqiptar etj.). Ndërkaq, studiuesi Dervishi, ndoshta pikërisht për këtë fakt, është orientuar te kjo vepër për të provuar shkencërisht konformizmin / moskonformizmin ose disidencën e tekstit. Sikur do të na thotë që po u rrëzua teza se “Dimri…” është roman konformist, hapet rruga për studimin e një raporti tjetër të teksteve të Kadaresë me ligjërimin diktatorial.

Për këtë qëllim, autori i është drejtuar teorisë së sotme të receptimit, pra qasja është shkencore. Dhe ka shqyrtuar receptimin e tekstit në kohën e botimit të romanit, receptimin e tij në ribotimin e parë të ripunuar me titullin “Dimri i madh”, si dhe receptimin e romanit pas vitit ‘90. Nga ky shqyrtim del që kemi një paradoks. Në kohën e botimit, për “Dimrin e vetmisë së madhe” është orkestruar një fushatë tipike staliniste që ka vazhduar me muaj të tërë, një fushatë në të cilën u përfshinë deri dhe repartet ushtarake. Kjo ka qenë një fushatë e veçantë në llojin e vet në diktaturë dhe me asnjë vepër tjetër të asaj periudhe nuk ka ndodhur kështu. Madje, në këtë fushatë, gjithashtu rast i veçantë, ka ndërhyrë dhe vetë diktatori, që ishte autoriteti më i lartë i ligjërimit publik, por dhe personazh i romanit. Në një rast tjetër, vetëm kjo fushatë do të mjaftonte për t’i vënë kurorën e disidentit autorit të asaj vepre. Por në fakt nuk ka ndodhur kështu, dhe këtu jemi te paradoksi: pas vitit ’90, kjo vepër mbeti, siç e thamë, një argument i “pakundërshtueshëm” për të kundërtën.

Nëse në kapitullin e parë të punimit të tij studiuesi merret me receptimin, përgjigjen për paradoksin e lë pas tri kapitujve të tjerë. Në të parin syresh “Dimri…” tekst monologjik apo polifonik, ai, për herë të parë në studimet tona, aplikon konceptet e Michael Bachtin për dialogjiken / monologjiken. Për studiuesin, ky është një moment me rëndësi për tezën e tij, pasi, sipas konceptit të Bachtin, në prozën polifonike kemi raporte të tjera të tekstit me autorin ideolog. Kësisoj, për herë të parë në punimet tona kemi një analizë teksti ku përdoren koncepte të tilla stilistike si “horizonti i autorit / horizonti i personazhit”, “sovraniteti i autorit / sovraniteti i personazhit”, “intersubjektivja dhe interindividualja” e kështu me radhë.

Gjatë kësaj analize, studiuesi dora-dorës zbulon dispozitivin stilistik të Kadaresë te “Dimri…”, por jo vetëm. Dhe jo vetëm gjen përkime me romanin dialogjik (Dostojevskij), por vërteton në tekst, që, në skemën krijuese të Kadaresë kemi një maksimalizim të polifonikes që shprehet, në kulmin e saj, me kontrapunktin, shumësinë e zërave. Dhe, gjithnjë sipas studiuesit, pas një skeme krijuese, pas një dispozitivi stilistik, qëndron një botëkuptim, që në skemën estetike, por jo vetëm të Kadaresë, është në kontrast të plotë me karakterin normativ të tekstit monologjik (ndërgjegjja normative, Bachtin). Pra, disidenca e Kadaresë vërtetohet kësisoj qysh në skemën e tij krijuese, në dispozitivin stilistik që na e zbulon studiuesi.

Por te punimi i tij, Met Dervishi nuk mjaftohet me kaq. Në kapitullin e tretë “Ideologjemat kundrejt klisheve”, ai shqyrton një për një ideologjemat e tekstit të Kadaresë dhe i vendos ato përballë klisheve respektive të regjimit. Këtu kemi nënkapituj të tillë si: “Titulli si ideologjemë”, “Skema e personazheve”, “Klisheja e përçarjes”, “Klishetë totalitare për liberalizmin”, “Shqipëria fanar ndriçues”, madje kemi dhe një nënkapitull “Enver Hoxha versus Enver Hoxhës”, në të cilin ideologjemat e diktatorit si personazh vihen përballë klisheve politike të vetë diktatorit. Nëse në kapitullin e dytë kishim disidencë me “ndërgjegjen normative”, pra me botëkuptimin marksist në skemën krijuese, në këtë kapitull të ideologjemave studiuesi qëmton në tekst disidencën politike. Fakti që Kadareja nuk pësoi fatin e disidentëve të tjerë të botës komuniste, për studiuesin ka të bëjë me jashtëletraren, por jo me tekstin e as me disidencën e tij.

Në kapitullin e fundit të këtij punimi shqyrtohen raportet e tekstit me hipotekstin. Këtu aplikohen konceptet e Gerard Genette për tekstin / hipotekstin dhe hipertekstin. Një analizë që, gjithashtu vjen në studimet shqipe për herë të parë. Me nënkapituj të tillë si “Hipoteksti / përbindëshi …”, “Era e fortë / koka e perëndive të stepës”, “Fluturimi / zogu i përrallës etj.

Gjatë kësaj analize, studiuesi ndjek hap pas hapi hipotekstin e “Dimrit…”, në të cilin del si bërthamë legjenda, përralla, etnopsikikja e përballjes së heroit a heronjve me një përbindësh (Moska / salla Georgevskaja etj.). Madje, studiuesi zbulon në tekst, in praesentia / in absentia dhe momentin e kacafytjes me përbindëshin (superfuqia komuniste) në faqet e fundit të romanit. Në përfundim të punimit të tij, studiuesi i jep dhe një përgjigje paradokseve të receptimit të veprës së Kadaresë. Sipas tij, për “Dimrin e vetmisë së madhe” në veçanti, në receptimin pas vitit ‘90 kemi të bëjmë me një rast të një dialogu që nuk bëhet me tekstin e Kadaresë, por me mënyrën se si e përvetësoi tekstin diktatura pas ribotimit të tij me një titull tjetër. Një tezë e guximshme kjo që, nëse është e saktë, vërteton se shkolla e analizës ideoartistike të veprave sipas konceptimit socrealist vazhdon të hakmerret ende me “Dimrin…” dhe Kadarenë në një situatë tjetër.

Gjithsesi, në këtë punim të Met Dervishit, kemi një Kadare tjetër, një mjeshtër të prozës polifonike, unik në llojin e tij në prozën botërore të shekullit XX. Dhe ky nuk është një përfundim apriori, por vjen si produkt i analizës së dispozitivit stilistik të një romani, që zbulohet për herë të parë si i tillë. Fakti që kritika a stilistika e sotme e tekstit, në këtë rast intertekstualiteti, jep përgjigje dhe për debatet publike të disidencës, është dhe një argument tjetër për domosdoshmërinë e kapërcimit të hendekut që e ndan shkollën shqiptare të studimeve letrare me shkollën perëndimore

 

 

 

©kampusiim

 

img_20170501_163159.jpg

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: